Gjatë ditës së sotme, nën mbështetjen e
Microsoft, është mbajtur takimi i parë i Grupit Shqiptar të Përdoruesve
të SQL Server. Kjo ngjarje mblodhi dhjetëra të interesuar të cilët patën
mundësi të dëgjonin disa ligjërata rreth grupit të ri të përdoruesve
ALSSUG (Albanian SQL Server Users Group) si dhe risive të tjera për SQL
Server 2012 RC0, ASP .Net 4.5 dhe frameworkun .Net 4.5.
Ashtu siç ishte planifikuar, me 3 minuta vonesë, në ora dhjetë filloi edhe hapja e kësaj ngjarjeje. Fjalën hyrëse e mori Dukagjin Maloku, i cili eshte lider i ALSSUG, dhe bëri prezantimin e ALSSUG: për qëllimet e këtij grupi, mundësitë e bashkëpunimit, përfitimet nga anëtarësimi etj.
Fjalën e mori shkurtimisht Agim Bekaj , i cili është përfaqësuesi i
ndërmarrjes Microsoft për rajonin e Kosovës, i cili dha një mbështetje
të fuqishme nga ana e kësaj ndërmarrjeje për zhvillimet e aktiviteteve
të grupit ALSSUG, për t’u pasuar sërish nga Dukagjini, i cili vazhdoi të
paraqesë hollësi rreth grupit të sapohapur.
Gjatë të njëjtës ngjarje u paraqitën dy grupe të reja të përdoruesve:
Albanian .Net Group dhe Kosova Microsoft Infrastructure Group. Pas
Dukagjinit, ligjërimin e filloi Betim Drenica, i cili tregoi për grupin e ri të përdoruesve, Albanian .Net Group.
Më pastaj fjalën e mori Bekim Dauti i cili tregoi fillimisht se
ç’është një grup i përdoruesve dhe për një historik të shkurtër për
grupin e parë të përdoruesve, i cili ishte SHARE nga IBM në vitin 1955.
Bekimi pastaj filloi të flasë për Kosova Microsoft Infrastructure Group,
të hapur para më pak se një muaji, konkretisht më 21 tetor të këtij
viti. Ky grup, sipas Bekim Dautit, deri më tani ka 15 anëtarë dhe 80
entuziastë të interesuar. KMIG do të mbajë një ngjarje më 24 dhjetor, në
Institutin e Trajnimit dhe Zhvillimit në Universitetin Amerikan në
Kosovë. Sllogani i këtij grupi ishte Be part of IT! ose në shqip Bëhu
pjesë e saj!. Bekimi dëshironte që të tregonte se një nga arsyet e
themelimit të këtij grupi është shkëmbimi i dijes të cilët njerëzit e
mbajnë në shpatullat e tyre.
Pas një pushimi të shkurtër, Betim Drenica filloi të tregojë për
risitë në SQL Server 2012 RC0, duke i paraqitur edhe disa demonstrime të
shkurta për t’i ilustruar më mirë risitë e përfshira në SQL Server
Denali.
Ligjëruesi i radhës ishte Rexhep Kqiku,
i cili tregoi për risitë në ASP.Net 4.5. Për dallim nga ligjëruesit e
të tjerë, Rexhepi kishte përzgjedhur që prezantimin e tij ta bënte në
HTML5. Përveç që paraqiste risitë për versionin e ri të ASP.Net dhe
dobitë nga këto risi, ai mundohej që të ruante një ndërlidhje edhe me të
pranishmit. Demonstrimet të cilat Rexhepi i bënte ishin me fonte të
vogla, duke e vështirësuar edhe leximin nga të pranishmit në sallë,
andaj edhe ai mundohej që në çdo demonstrim të bënte zmadhimin e
fonteve.
Ligjëruesi i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, ishte Adem Gashi,
i cili tregoi për gjërat e reja në versionin e radhës të frameworkut
.Net. Si dy ligjëruesit e mëparshëm (Betimi, Rexhepi), edhe Ademi atyre
që bënin ndonjë pyetje në lidhje me gjërat të cilat paraqiteshin dhe po
përshkruheshin, shpërbleheshin me disa dhurata.
Sipas Dukagjin Malokut, edhe në të ardhmen priten të mbahen takime të këtilla.

0 comments:
Post a Comment