IPKO me rrjet optik për tërë Kosovën

Ofruesi i shërbimeve të internetit, telefonisë mobile, dhe televizionit kabllor IPKO, në një komunikatë për media të publikuar në Ueb faqen e vet zyrtare ka bërë të ditur se ka filluar punimet në ndërtimin e rrjetit të fibres optike për tërë Kosovën. E vetëdijshme se kontrata me PTK-në për shfrytëzimin me qira të fibrave optike do të përfundojë në mes të qershorit 2012, IPKO ka ndërtuar infrastrukturën e saj me fibra optik në të gjithë vendin, në një afat rekord kohor. “Pas pranimit të njoftimit për ndërprerje të kontratës për qiradhënie të fibrave optike nga ana e PTK-së, ne menjëherë kemi filluar të ndërtojmë kapacitetet tona për tu pavarësuar në rrjet, dhe për të përfunduar projektin strategjik i cili sot e optimizon rrjetin tonë në tërësi, dhe na mundëson ofrimin e teknologjive dhe shërbimeve të avancuara në tregun tonë, dhe më gjerë”,
ka thënë drejtori ekzekutiv i kompanisë IPKO, Robert Erzin, duke sqaruar nevojën për investimet kapitale të kompanisë në rrjetin e saj optik. Krahasuar me kapacitetet e vitit të kaluar të marra me qira nga PTK, këtë vit ndërtimi i kapaciteteve do të përfundojë me 96 linja të fibrit optik dhe 600km infrastrukturë, dhe me këtë, IPKO në tërësi do të pavarësohet nga linjat e fibres optike të marra me qira nga Posta dhe Telekomi i Kosovës. “Bashkë me lidhjet optike me Maqedoninë, rrjeti ynë i fibres optike do të lidh Kosovën me vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Mali i Zi, për të vazhduar lidhjen me infrastrukturën moderne të telekomunikacionit me Evropën, përmes Sllovenisë”, ka vazhduar më tej Erzin. Përveç faktit se i gjithë rrjeti është ndërtuar me kompani lokale, gjë që ndikon në zhvillimin ekonomik lokal, ky projekt gjithashtu ka rritur investimet kapitale të kompanisë për vitin 2012, dhe kësisoj i ka mundësuar kompanisë IPKO të fokusohet në shërbime multimediale për të plotësuar kërkesën në rritje për kapacitetet e mëdha të internetit me brez të gjerë. Bashkë me krijimin e lidhjeve të reja të telekomunikimit me shtetet fqinje dhe ato evropiane, ndërtimi i kapaciteteve të reja të infrastrukturës moderne të fibrave optike nga IPKO gjithashtu nënkupton zhvillimin e tregut kosovar me kapacitete të reja teknologjike, të cilat mundësojnë ofrimin e shërbimeve të avansuara për qytetarët, institucionet dhe bizneset në Kosovë.