Doo është një organizues automatik dokumentesh që i gjen skedarët në
disk, në Dropbox, e madje edhe në emailin tuaj. Përveç tjerash, ai gjen
të gjitha dokumentet tuaja dhe i sinkronizon ato në cloud dhe përgjatë
shumë kompjuterëve. Ditëve të sotme nuk mund të ankohemi se nuk
kemi vegla për sinkronizim dokumentesh, në fakt kemi vegla shumë të mira
si Dropbox, Google Docs dhe InSync për Google Docs, por Doo e ka një
qasje krejt ndryshe për këtë gjë. Ai nuk është dizajnuar që të trajtoj
çdo skedar të vetëm në makinën tuaj, por çdo lloj dokumenti. Dhe përveç
sinkronizimit, ai gjithashtu organizon çdo gjë automatikisht për ju.
Kjo
vegël posedon shumë opsione për shfletim dokumentesh në mënyrë
kronologjike, por mund t’i gjej dokumentet edhe në bazë të personit,
ndërmarrjes, vendndodhjes, llojit të skedarit dhe një mori etiketimesh
tjera. Natyrisht kjo vegël e posedon edhe opsionin për kërkim. Për më
tepër, ju mund t'i organizoni dokumentet edhe manualisht. Duhet ta
kini parasysh faktin se Doo është ende në fazën testuese, prandaj mos
prisni që ai të funksionoj në mënyrë të përkryer. Aktualisht ai është në
dispozicion për Windows, përfshirë edhe versionin më të ri të Windows 8
dhe OS X. Versioni për iPhone/iPad, Android dhe Windows Phone 7 pritet
të vijë së shpejti, dhe do të ju mundësohet qasje e plotë edhe nga
celulari. Nëse keni një rrëmujë me dokumente të cilat doni t’i
organizoni pa humbur shumë kohë, atëherë ja vlenë ta provoni këtë vegël. Ju
mund ta bëni organizimin e mëse 2,000 dokumenteve pa pagesë, por për
ata që kanë nevojë për të organizuar më shumë dokumente, duhet të
abonohen në shërbimin me pagesë, ku shtohen veçoritë shtesë si
enkriptimi i klientit.
0 comments:
Post a Comment