Është e vërtetë që idetë janë margaritarë
të paçmuar, por vlefshmëria e tyre vërehet me tepër kur këto ide nuk
barten thjesht në kokë, por futen në praktikë. Një mundësi e mirë për
t’i zbatuar idetë rreth kthimit të ideve tuaja në biznes është Startup
Weekend Tirana, ngjarje kjo e cila do të mbahet gjatë kësaj fundjave në
Universitetin Evropian të Tiranës.
Startup Weekend është një aktivitet 54-orësh që zhvillohet
gjatë një fundjave dhe shërben si platformë takimi mes programuesve,
dizajnerave, reklamuesve, menaxhereve të produkteve, financierëve,
insvestuesve potencialë dhe entuziastëve të teknologjisë në përgjithësi
që mblidhen për të ndarë ide, për të formuar ekipe, për të lëshuar
produkte dhe kompani të reja.
Për rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë aktivitet flet
artikulli i postuar nga Shoqata Shqiptare për Teknologjinë e
Informacionit (AITA), ku thuhet: “Akti i krijimit i cili zhvillohet
gjatë fundjavës ndihmon pjesëmarrësit të mësojnë dhe të mos dëgjojnë
vetëm për teori por të ndërtojnë e testojnë strategji. Rrjeti i
pjesëmarrësve i cili përmban një kombinim ekspertësh, të rinjsh,
njerëzish me ide e investuesish potencialë krijohet gjatë fundjavës dhe
ofron mundësinë e shfrytëzimit afatgjatë për të gjetur një vend pune apo
investorë të gatshëm për të mbështetur krijimin e një ndërmarrjeje që
mundet të ofrojë një model të mire. Platforma e ofruar jep mundësi për
të mësuar një gjuhë të re programimi, për të fituar aftësi të reja. Ajo
shërben edhe si pikë takimi me bashkëthemeluesit potencialë për një
ndërmarrje të re dhe me vendimmarrës e personalitete me rëndësi në
komunitet të cilat janë ftuar si mentorë apo anëtarë jurie.”
Sipas AITA-s, tashmë mbi 70 persona të moshave të
ndryshme janë regjistruar me profilet e tyre dhe rreth 15 prej tyre janë
shprehur se do të paraqesin ide inovative gjatë fundjavës, një pjesë
prej tyre edhe duke e bërë me dije në pak fjalë se çfarë do të paraqesin
konkretisht.
Gjatë të premtes në ora 17.00 pritet të bëhet hapja
e kësaj ngjarjeje dhe për 54 orë rresht do të mund të shihni një
maratonë të vërtet prej pesëdhjetekatër orëve të frymës inovative nga
pjesëmarrësit. Për të parë informacione rreth planit të paraparë për
t’u zbatuar gjatë këtyre pesëdhjetekatër orëve klikoni këtu.
Çfarë pritet të ndodh gjatë kësaj fundjave?
Të premten: Idetë paraqiten në hapjen e aktivitetit
nga individët pjesëmarrës të cilët në pak sekonda kohë duhet të jenë në
gjendje të entuziazmojnë publikun për idenë e tyre. Të interesuarit
afrohen rreth personave që sjellin ide dhe po kërkojnë për ndihmë në
fusha të ndryshme: zhvillim, dizajn, marketing, financa. Grupet krijohen
dhe fillojnë nga puna.
Të shtunën: Ekipet e krijuara forcojnë frymën e
grupit dhe duke marrë ndihmë nga mentorët e aktivitetit zhvillojnë
prototipe të cilat duhet të jenë gati deri të dielën pasdite.
Të dielën: Ekipet përgatiten gradualisht për
prezantimin përfundimtar i cili ndodh para jurisë së përbërë nga
sponsorët kryesorë. Juria vendos për idetë e përpunuara dhe të sjella në
formën e prototipit para tyre dhe ndajnë çmimet.
Vlen të përmendet pjesëmarrja e këshilltarëve të
ndryshëm si nga Kosova, Shqipëria ashtu edhe i atyre që vijnë nga
Skocia, Kanadaja, Holanda, Shtetet e Bashkuara, dhe India. Për të parë
më shumë informacione rreth asaj se kush do të marrë pjesë dhe një
biografi të shkurtër të tyre se kush janë dhe me çka merren klikoni këtu.
Sponsorë kryesorë të kësaj ngjarje janë Ambasada e
Norvegjisë, AITA dhe IKT Norge – Shoqata Norvegjeze e Teknologjisë së
Informacionit dhe Komunikimit. Universiteti Evropian i Tiranës garantoi
që në ditët e para mbështetje për projektin duke mundësuar zhvillimin e
tij në mjediset e veta, mbështetje me infrastrukturë dhe staf teknik.
Sponsorë të tjerë të rëndësishëm si Crimson Capital, DM Consulting,
USAID Rritje Albania, Pro-TIK, 1Up, Universiteti Epoka, PC World
Albanian dhe CIO, EasyPay do të mundësojnë çmime për ekipet dhe
individët e talentuar të cilët janë pjesëmarrës në aktivitet.
Për më shumë rreth kësaj ngjarje mund të lexoni këtu.
0 comments:
Post a Comment