Zona më e madhe turistike e vendit,
Brezovica, si dhe pjesa më e populluar e kryeqytetit, sheshi Nënë Tereza
në Prishtinë, janë lokacionet e para publike të cilat mbulohen me
rrjetin pa tela të internetit të shpejtë, të cilin kompania IPKO e ofron
falas për përdoruesit e saj.
“Si ofruesi më i madh i internetit në vend, IPKO e kupton
kërkesën në rritje të qytetarëve për përdorim të lehtë të internetit në
çdo vend, dhe nga çdo pajisje mobile, ndërsa ne besojmë se me ofrimin pa
pagesë të internetit në hapësirat më të frekuentuara publike, ne
gjithashtu do të jemi kontribuuesi kryesor që shkalla e përdorimit të
internetit në Kosovë të rritet dhe të jetë e ngjashme me shtetet më të
zhvilluara evropiane” ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv i
kompanisë IPKO.
Përdoruesit të cilët kanë nevojë për internet të shpejtë WiFi, mund
të qasen lehtë dhe krejtësisht falas në rrjet, duke thirrur numrin *678#
për tu pajisur me llogari të përdoruesit dhe fjalëkalim. Qasja në
internet falas mund të bëhet nga telefonat mobil, laptopët, tabletët apo
pajisjet e ndryshme elektronike që lidhen me internet.
Pas tejkalimit të periudhës testuese të projektit, IPKO do të
vazhdojë të ofrojë internet WiFi falas edhe në qytetet tjera të Kosovës,
përfshirë edhe zonat më të mëdha turistike, të cilat do të bëhen edhe
më atraktive për vizitorët lokal si dhe turistët e huaj.
Me këtë shtrirje të gjerë me të gjitha shërbimet bashkëkohore të
telekomunikimit, kompania IPKO e pozicionon shtetin e Kosovës si vend
modern, ku shkalla e lartë e depërtimit dhe përdorimit të internetit
mbetet tregues i fuqishëm i zhvillimit shoqëror.
0 comments:
Post a Comment