Lubjanë, 6 dhjetor – Studimet nuk
sugjerojnë që të bëhet biznes në Kosovë. Banka Botërore e radhit Kosovën
në vendin e 117 për këtë kategori. Por, këto të dhëna nuk reflektojnë
te Telekomi i Sllovenisë, i cili e ka renditur Kosovën në vendin e parë
për të bërë biznes. Biznesi i kësaj kompanie, IPKO, ka dalë të jetë më i
leverdishëm në tërë rajonin, ku kjo kompani ka investuar mbi 200
milionë euro. Vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti, biznesi i saj në
Kosovë ka sjellë një fitim neto prej 8.8 milionë eurosh.
“Pas operimeve tona në Slloveni, kontributi i
kompanisë IPKO në Kosovë, është më i rëndësishmi për Telekom Sllovenia
Group .Vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti ne kemi pasur 8.8
milionë euro neto fitim”, tha të hënën kreu i Bordit të Telekom
Sllovenia, Ivica Kranjçeviq, në konferencën për mediet kosovare në
Lubjanë.
Gjatë prezantimit të të arriturave të kompanisë së
tij në vitin 2011, Kranjçeviq, theksoi investimet e bëra në Kosovë,
sipas tij, në vitin 2011 kapin shifrën prej 13.5 milionë eurosh.
“Vitin e ardhshëm planifikojmë t’i investojmë së
paku 19 milionë euro në shërbimet e telefonisë fikse dhe të televizionit
digjital", theksoi ai.
Një vit më parë, kriza globale ekonomike kishte
kapluar edhe Telekom Slloveninë, por këtë vit është më mirë në aspektin
afarist, duke tejkaluar edhe parashikimet e saj. Vetëm në 10 muajt e
parë të këtij viti kjo kompani ka thënë se i ka tejkaluar pritjet për
fitimin neto i cili ka qenë 28.1 milionë euro.
Kryetari i Bordit të Telekomit slloven gjithashtu
ka thënë se kompania e telekomunikimit të cilën ai e drejton pret që
deri në vitin 2015 të arrijë që fitimi i saj neto të jetë 100 milionë
euro. Këtë ai ka thënë se do ta arrijë përmes planit strategjik të
kompanisë dhe projekteve përkatëse nga ky plan, i cili përfshin edhe
zgjerimin e fushëveprimit.
Për biznesin në Kosovë, IPKO-në, ka folur Robert Erzin, drejtor ekzekutiv. Ai thotë se ka synim bërjen e kompanisë së tij lider në tregun kosovar të telekomunikimit.
“Tani kemi 24 për qind të tregut në telefoninë
mobile, 6 për qind në telefonin fikse, 57 për qind të TV digjitale dhe
53 për qind të tregut të internetit. Me investimet që do t’i bëjmë
mendojmë të rrisim tregun tonë në Kosovë”, tha Erzin.
Në nëntëmujorin e parë të këtij viti, sipas tij,
IPKO ka realizuar 54 milionë euro. “Përpos biznesit që bëjmë ne, kemi
hapur rreth 500 vende të punës, paguajmë miliona euro për taksa dhe
përkrahim shumë iniciativa qytetare, aktivitete sportive dhe kulturore”,
theksoi Erzin.
Për fundvit ai premtoi ofrimin edhe të disa pakove
të tjera të shërbimeve që sipas tij pritet të jenë njësoj si ato të
këtij viti që sollën në IPKO çdo ditë nga një mijë klient të rinj në
ditë.
“Do të ketë shumë befasi këtë fundvit për klientët tanë”, theksoi ai.
Erzin u krenua me faktin se telefonia e tyre mobile mbulon pothuajse tërë territorin e Kosovës.
“Ne menjëherë kemi investuar përkrah Qeverisë në
mbulimin me sinjal të telefonisë mobile të autostradës ‘Ibrahim Rugova’
në tërë segmentin e saj”, tha në fund drejtori i IPKO-s.


0 comments:
Post a Comment