ChevronWP7, me vegël zyrtare për “hapje” të Windows Phone


Ju sigurisht mund t’ju kujtohet se shumë shkurt pasi u lansua, Microsoft Windows Phone 7 u hakua nga ekipi Chevron, duke iu mundësuar përdoruesve të instalojnë aplikacione të veta pa pasur nevojë për një llogari të shtrenjtë zhvilluesi.

Microsoft kërkoi nga këta zhvillues që të largohet kjo vegël pasi që po pengonte shërbimet e përditësimit, por premtoi se do të punonte me ta për të përkrahur në mënyrë zyrtare hapjen e sistemit. Në fakt edhe kështu ndodhi. Vegla zyrtare për hapjen e Windows Phone është në treg dhe është në ofertë për një çmim të lirë dhe madje përdoruesit nuk duhet të frikësohen nga largimi i garancionit nëse e përdorin atë.
Për të filluar, përdoruesit e Windows Phone duhet të kyçen me një Windows Live ID në faqen e ChevronWP7. Në momentin që ata futen aty, duhet të paguajnë një shumë prej 9 dollarë për ët hapur një pajisje të vetme. Kjo është vetëm një fraksion i asaj që ka çmimin prej 99$ dhe që quhet anëtarësim vjetor si zhvillues i Microsoft. Kur të regjistrohet pajisja, ajo futet në një rend për tu hapur.

Ndoshta duhet të keni durim, por të jeni të sigurt se pajisja juaj do të hapet dhe Microsoft e ka mbajtur fjalën me ekipin Chevron. Zhvillimi individual mund të shtyjë para zhvillimin e aplikacioneve të reja për dyqanin zyrtar të kësaj platforme dhe mund të rris interesimin. PCWorld Albanian është në dijeni se disa zhvillues në Kosovë veçse kanë shprehur interesim për zhvillimin e aplikacioneve për Windows Phone dhe sigurisht se ky do të jetë një lajm i mirë për ta.