Super Internet me Vorbulla Drite

Përgjigjia ndaj kërkesës në rritje të lidhjes në internet, lehtësimi i trafikut në rrjet dhe përmirësimi i lidhjeve video në streaming mund të bëhet më i thjeshtë falë një teknologjie me fibra optike që shfrytëzon një fenomen të veçantë të dritës. E përshkruar në revistën “Science”, teknika është zbuluar nga grupi i studiuesve të udhëhequr nga profesori Nenad Bozinovic, i Universitetit të Bostonit në SHBA. Metoda lejon krijimin e kanaleve paralele për të transmetuar të dhëna në një kabëll të vetëm fibre optike që shfrytëzon një fenomen të quajtur “vorbullat optike”, në të cilin vorbullat e dritës lëvizin si një tornado dhe jo në vijë të drejtë. Në eksperimentin e tyre studiuesit kanë arritur të transmetojnë 1.6 terabit (rreth 1.600 miliardë bit) të dhëna në sekondë. Nëse teknika e re do të aplikohet, ajo do të bëjë që lidhjet aktuale ADSL të duken të ngadalta njësoj si lidhjet e bëra me modemin “dial-up”, përmes një numri të zakonshëm telefoni.