Windows ne 20 vjet

Në këtë prezantim, do të keni mundësi t’i hidhni një sy historisë së Windows-it gjatë dy dekadave të fundit. Sistemi operativ më i përdorur në botë është i njohur që nga ditët e tij të para me MS-DOS, kur mouse konsiderohej si një mjet i panevojshëm, e deri tek prezantimi i formave pllakore në Windows 8.

 
1. Windows 3.1 
Ndërsa Windows 1 dhe 2 ishin shell-e grafike për sistemin MS-DOS, që përdorte tastierën për të marrë komandat, me Windows 3.x Microsoft-i futi në përdorim mouse-n. Sistemi kishte ikona të mëdha me ngjyra për hapjen e programeve. U krijua ekrani qendror i desktopit, u shtua “File Manager” përmes së cilit njerëzit menaxhonin skedarët dhe drajverat e tyre. Nuk kishte klikim me të djathtën. Mënyra më e zakonshme për të kaluar nga një program në ekzekutim në një tjetër ishte shortcuti Alt Tab.


2. Windows 95
Me versionin e vitit 1995 u prezantuan strukturat bazë për ndërfaqen e Windows-it, të cilën e përdorim që prej asaj kohe. U lançua butoni Start. Në atë kohë, ishte një koncept i huaj, prandaj Microsoft-i kishte shtuar një njoftim që i shfaqej përdoruesit sa herë afronte mouse-n pranë butonit Start, përmes së cilit thuhej “Click here to begin” (Klikoni këtu për të filluar). Në Windows 95 u prezantua edhe taskbari, ikonat shortcut, mjeti Explorer dhe My Computer. Ndërsa mouse kishte filluar të zëvendësonte komandat nga tastiera, u shtua klikimi me të djathtën, tërheqja e objekteve (drag and drop) si dhe klikimi i dyfishtë për hapjen e skedarëve dhe programeve.


3. Windows XP
Në vitin 2001, kur u lançua XP, PC-të kishin filluar të bëheshin jo vetëm mjete produktiviteti, por edhe për të naviguar në ueb, për të kontrolluar e-mailin dhe për të parë elemente multimedia. Kompjuterët po ktheheshin në pajisje të nevojshme dhe XP ishte sistemi operativ më i dashur për njerëzit. Ata ruanin në të muzikën, fotot dhe videot. Në Start menu kishte një opsion All Programs. Aksesimi i postës, internetit, muzikës dhe fotove u bë më i thjeshtë. Ai ishte gjithashtu tepër i personalizueshëm. Përdoruesit mund t’i përshtatnin karakteristikat e tij në bazë të preferencave të tyre.
 
4. Windows Vista 
Vista ishte një ndryshim total që solli Microsoft-i për sistemin e tij Windows. U shtua stili Aero visual dhe kornizat e dritareve ishin të tejdukshme. Me Vista-n u prezantua sidebar-i, ku mund të shtoheshin vegla (gadgets) të nevojshme si kalendari, ora, moti etj. Në taskbarin e ri kishte edhe një opsion Favorites. Butoni Start u hoq dhe u zëvendësua nga një ikonë Windows, e cila ofronte kërkim të menjëhershëm të programeve përveç listës së zakonshme. Por qe 6 muaj pas lancimit ky version doli i deshtuar pasi kerkonte shume parametra te larta.

5. Windows 7
Windows 7 nuk pati një ndryshim shumë të madh nga Vista në aspektin e dizajnit dhe pamjes së jashtme, por Microsoft-i solli disa përmirësime të rëndësishme. Sidebari u hoq, butoni Aero Flip 3D gjithashtu (edhe pse funksionaliteti i tij ekzistonte përmes shortcut-ve) si dhe ikona Show Desktop u bë më e dukshme në të djathtë të sidebarit. Ky i fundit pësoi ndryshimin më të madh, me një shortcut Quick Launch e cila zëvendësonte opsionin Pin për të vendosur në të aplikacionet më të përdorura për aksesim të shpejtë. Klikimi me të djathtën në një ikonë në taskbar ofronte një listë me shortcut-e, që vareshin nga softueri. Windows 7 është i njohur për integrimin e suportit multitouch. Edhe pse nuk ishte plotësisht i përdorshëm me prekje, nuk duhej harruar se ndërfaqja e Windows u krijua rreth mouse-t dhe tastierës në fund të fundit. Kur vinte puna tek prekja, ishin Windows 7 Home Premium, Professional dhe Ultimate, ato që ofronin maksimumin e sistemit operativ në këtë fushë.
 
6. Windows 8 
Windows 8 sjell gjithashtu një ndryshim rrënjësor për Microsoft-in, pasi kompania po investon seriozisht në biznesin e kompjuterëve tabletë dhe pajisjeve me prekje. Ndërfaqja e re “Metro” ofron një paraqitje me pllakëza që ngjason me atë në Windows Phone. Pllakëzat e ekranit bazë janë të personalizueshme. Ato lidhen me linqe me aplikacionet dhe programet dhe ofrojnë informacione në kohë reale, të përditësuara dhe të animuara. Përmes tyre mund të kontrolloni lehtësisht inboxin, cicërimat e fundit, motin, të dhënat mbi trafikun, rezultatet sportive etj. Toolbar-in vertikal mund ta aksesoni duke afruar mouse-n në cepin e djathtë të ekranit, ndërsa i njëjti veprim në anën e majtë ju shfaq dy ekrane: atë të aplikacioneve aktive dhe desktopin tuaj.
Adaptimi i këtij sistemi operativ mbetet ende për t’u parë. Ajo që dihet me siguri është fakti se Microsoft-i ka bërë një rrugë të gjatë me plot zhvillime dhe risi në botën e sistemeve operative. Në fund të fundit, gjithçka nisi në një kohë, kur për të hapur Windows-in, duhet të jepje komandën “Win” në DOS…