Intel parashikon të prodhojë kompjuterë që mësojnë

Intel Corp do të nisë një kërkim teknologjik në Izrael, që imiton trurin e njeriut dhe zhvillon pajisje që “mësojnë” rreth përdoruesve të tyre. “Të mësuarit nga ana e makinerisë është një mundësi kaq e madhe,” tha për gazetarët në Tel Aviv, Justin Rattner, kryeoficeri i teknologjisë së Intelit. “Pavarësisht emrit të tyre, celularët inteligjentë, në fakt, janë pajisje idiote. Celulari im inteligjent s’di gjë për mua që nga momenti, kur e kam blerë,” shtoi ai. “Të gjitha këto pajisje do të na njohin si individë.” Intel Corp, kompania lider që prodhon mikroçipe për kompjuterë Kërkimi, që do të kryhet nga Instituti Kërkimor Bashkëpunues i Intelit për Inteligjencën Kompjuterike së bashku me specialistë nga Technion në Haifa dhe me Universitetin Hebre në Jeruzalem, ka synimin të mundësojë aplikacione të reja, siç janë kompjuterët e vegjël, të cilët mund të përmirësojnë jetën e përditshme.
Për shembull, nëse një përdorues i lë çelësat e tij të makinës në shtëpi, brenda javës së parë pajisja i njofton se ku i kanë lënë ato dhe brenda javës së dytë i kujton përdoruesit të marrë çelësat e tij para se të dalë nga shtëpia,” tha Rattner. “Pajisje të tilla, që regjistrojnë vazhdimisht se çfarë bën përdoruesi, do të jenë të mundshme nga viti 2014, 2015,” shtoi ai. “Brenda pesë viteve të gjitha shqisat njerëzore do të jenë brenda në kompjuterë dhe për 10 vite do të kemi më shumë tranzistorë në një mikroçip se neurone në trurin e njeriut,” tha Moody Eden, president i Intel Israel.