A është JavaScript e ardhmja e programimit?!

JavaScript është gjuha e programimit që i bën interaktive faqet ueb. Slideshow-t, reklamat pop-up dhe opsioni autocomplete i Google janë disa nga shembujt e punës së JavaScript.
JavaScript u krijua për herë të parë nga Brendan Eich në Netscape në vitin 1995, fillimisht i quajtur Mocha gjatë zhvillimit, i lançuar me emrin LiveScript në versionin beta dhe së fundmi mori emrin JavaScript, frymëzuar nga Java, më tepër për arsye marketingu.
Fillimisht zhvilluesit nuk e morën shumë seriozisht JavaScript-in sepse nuk u pa si një gjuhë e vërtetë programimi si Java, Ruby apo Python, të cilat janë gjuhë server-side. JavaScript është një gjuhë client-side e krijuar për të rritur përvojën e përdoruesit në ueb.

Por, me kalimin e kohës, ajo u shndërrua në një gjuhë tepër produktive dhe shpeshherë rekomandohet si gjuha bazë e mësimit për fillestarët. Nëse e përdorni JavaScript-in me një framework të quajtur Node.js, atëherë gjuha funksionon si një server-side.

Pse është kaq i përdorur JavaScript?
JavaScript është gjuha e vetme skript e tipit client-side. Ajo përdoret pothuajse në çdo faqe ueb që shihni në internet. Kjo është një nga arsyet që Codecademy e ofron si bazë për t’u mësuar nga përdoruesit. Në ndryshim nga gjuhët klasike që mësohen në departamentet e shkencave kompjuterike nëpër universitete e që ndoshta jo gjithmonë mund t’ju bjerë rasti të punoni me to, JavaScript-in do ta përdorni patjetër nëse zgjidhni profesionin e zhvilluesit në ueb.
Meqenëse JavaScript ekzekutohet në shfletues, nuk keni nevojë për softuerë shtesë për ta përdorur. Ju duhet vetëm një editor teksti (si TextWrangler apo TextEdit, edhe NotePad ju bën punë) si dhe një shfletues.

Çfarë mund të bëjë JavaScript?
Siç u përmend edhe më lart, JavaScript mund të përdoret për të ndërtuar një uebfaqe të plotë nëse përdoret me Node.js dhe MongoDB (që është një bazë të dhënash). Node.js është asinkronike, gjë që e bën të përshtatshme për të gjitha të dhënat.
Për shembull, një zhvillues zbuloi se për të dërguar 600 e-maile, me Node.js duheshin 3 sekonda ndërsa me PHP duheshin 30 sekonda.
JavaScript është gjuha e preferuar për te zhvilluar aplikacionet e Windows 8. Është gjuha më e përdorur në Github. Shumë faqe janë të ndërtuara me Node, përfshi Klout, Storify dhe Yammer. Nga ana tjetër, JavaScript është përgjegjëse për animacione si dritaret pop-up si dhe me AJAX, e cila mundëson që të shihni të dhëna të reja në faqe pa e rifreskuar atë (psh, kur shihni foto njëra pas tjetrës). Një shembull të AJAX mund ta shihni këtu – shikoni që kur klikoni një imazh, URL-ja ndryshon por faqja nuk rifreskohet. AJAX është shkurtim për Asynchronous JavaScript And Xml, kështu që nuk përdoret e ndarë nga JavaScript.

A është JavaScript gjuha e së ardhmes?
HTML5 u tha se do të ishte fundi i Flash-it, por nëse HTML5 është një mjet organizativ, është në fakt JavaScript që po zë vendin e Flash-it. Videot që më parë shiheshin përmes një plug-in që duhet ta
shkarkoje dhe instaloje në kompjuter, tashmë shihen përmes JavaScript, e cila operon në shfletuesin tuaj dhe nuk ka nevojë për shkarkime të jashtme. Në këtë mënyrë, zhvilluesit e dinë me siguri që përdoruesit e shohin njësoj përmbajtjen e tyre. Meqenëse JavaScript nisi si një gjuhë që ngjasonte me Java-n por nuk ishte e aftë për të kryer të njëjtat detyra, është pak e çuditshme që shumë njerëz besojnë se ajo do të vazhdojë të rritet në të ardhmen.
Megjithatë, suksesin e një gjuhe e përcaktojnë zakonisht mjetet më të cilat shoqërohet ajo, dhe falë shtesave si Node.js, jQuery (një librari), JSON (JavaScript Object Notation) dhe MongoDB, JavaScript-in e pret një e ardhme e ndritur.